Connect with us

Aktualitet

Para se të jetë tepër vonë vendet e pasura duhet t’i ndajnë vaksinat me të tjerët,

Published

on

Nga Lawrence O. Gostin, Eric A. Friedman & Suerie Moon

Bota është në prag të dështimit në një testi jetik:ai që mat nëse bashkësia ndërkombëtare është e gatshme apo e aftë t’i japë fund një pandemie globale pa lënë askënd prapa. Vendet e pasura kanë blerë sasi të mëdha vaksinash, duke i lënë vendet më të varfra të përballen me një mungesë ekstreme të tyre.

Një nismë ndërkombëtare e njohur si COVAX, synon t’i shpërndajë vaksinat në mënyrë të barabartë në të gjithë botën, por nuk ka shumë fonde në dispozicion. Në rastin më të mirë, COVAX do të mbulojë ketë vit me vaksina vetëm një pjesë të vogël të popullsisë së vendeve me të ardhura të ulëta.

Qeveria e Afrikës së Jugut, ka paralajmëruar me të drejtë një “aparteid të vaksinës” në nivel global. Ka ende kohë për t`a menaxhuar ndryshe këtë fushatë. Vendet e pasura kanë detyrimin moral të ndihmojnë në shpërndarjen e vaksinave. Kjo është gjithashtu në interesin e tyre ekonomik.

Në vend të grumbullimit të furnizimeve për veten, këto vende duhet të rishpërndajnë dozat tek vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, dhe të sigurojnë fonde për të siguruar vaksinimin e popullatave më të prekshme – përfshirë pakicat dhe njerëzit pa shtetësi – dhe tek e fundit imunizimin e popullatave të tëra, pavarësisht nga të ardhurat.

Udhëheqësit politikë po përballen aktualisht me presione të forta për t’i dhënë përparësi vaksinimit të popullatave të tyre. Impulsi për t’u kujdesur së pari për qytetarët e vendit tënd, mund të justifikohet moralisht, por kjo vetëm brenda kufijve. Të gjithë njerëzit kanë një vlerë të barabartë, dhe kanë aspirata të ngjashme për shëndetin dhe produktivitetin.

Shpërndarja e drejtë e vaksinave -ashtu si edhe e testeve dhe terapive – është një domosdoshmëri etike dhe humanitare. Ajo është gjithashtu mënyra më efikase për të adresuar apo zgjidhur krizat që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, shumë prej të cilave shumë shpejt do të prekin të gjitha vendet, pavarësisht nëse kanë sasi të mjaftueshme vaksinash apo jo.

Ndërsa pandemia po vazhdon, progresi në fusha të tjera të shëndetit global, si imunizimi i fëmijëve dhe çrrënjosja e poliomelitit, po ndryshon ndjeshëm. Për shkak të Covid-19, rreth  1.5 milion e më shumë njerëz mendohet se kanë vdekur nga AIDS, tuberkulozi dhe malaria në vitin 2020.

Ndërkohë, numri i njerëzve që po përjetojnë apo që po rrezikohen nga uria akute, është dyfishuar vitin e kaluar, dhe Banka Botërore vlerëson se pandemia ka shtyrë 100 milion njerëz drejt varfërisë ekstreme, dhe 50 milion të tjerë pritet të kenë të njëjtin fat të keq deri në fund të këtij viti.

Gratë dhe vajzat po përballen gjatë pandemisë me një rrezik më të madh të dhunës, duke përfshirë përdhunimin, martesën e fëmijëve dhe skllavërinë seksuale. Dhe mbyllja e shkollave dhe mësimi i paarritshëm në distancë ka lënë pa arsimim 463 milion fëmijë.

Shpërndarja e vaksinave, barnave dhe testeve të mjaftueshme në vendet në zhvillim do të kushtojë këtë vit rreth 24 miliardë dollarë. Kjo është një shumë e madhe në kushtet kur pandemia ka dëmtuar rëndë edhe ekonomitë me të ardhura të larta.

Por investimi do të sjellë përfitime, të cilat do e tejkalojnë këtë kosto. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që vaksinimi në të gjithë botën do t’i shtonte ekonomisë globale gati 9 trilion dollarë deri në vitin 2025.

Anasjelltas, RAND Corporation ka parashikuar që për çdo vit që vendet me të ardhura të ulëta të mos mund të kenë qasje tek vaksinat, PBB e kombinuar e vendeve me të ardhura të larta do të bjerë me 100 miliardë dollarë. Udhëheqësit e demokracive të pasura duhet të shohin përtej ditës së sotme, përndryshe vendimet e tyre do t’i penalizojnë ato nesër.

Drejtësia e vërtetë, do të kërkonte që të gjitha vendet me të ardhura të larta të hiqnin dorë nga vaksinat e tyre të blera veçmas, dhe në vend të kësaj të marrin pjesë në nismën COVAX. Kjo lëvizje do të siguronte që vaksinat të ndaheshin mbi një bazë të drejtë, dhe të parët që do të mbroheshin do të ishin më të prekshmit kudo në botë, pavarësisht nga aftësia për të paguar.

Por një zgjidhje e tillë është politikisht e papranueshme, duke pasur parasysh që vendet e pasura, kanë nisur tashmë të shpërndajnë dozat e vaksinave që kanë blerë për qytetarët e tyre. Çuditërisht,pjesë e problemit janë bërë edhe edhe disa pjesëmarrës të COVAX. Për shembull, Australia, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian, kanë nënshkruar marrëveshje të veçanta blerjeje me prodhuesit e vaksinave, duke i blerë sasitë e pakta në dispozicion direkt nga prodhuesit, dhe duke mos lejuar kështu grumbullimin e ndonjë sasie domethënëse nga nisma COVAX.

Kanada, BE dhe Shtetet e Bashkuara, kanë sinjalizuar se janë të gatshme të ndajnë më të tjerët dozat që i tejkalojnë nevojat e tyre kombëtare. Por një ndarje e tillë është e pamjaftueshme. Në vend të kësaj qasje, BE, Shtetet e Bashkuara dhe COVAX, duhet të hartojnë një plan që të angazhojnë në procesin e grumbullimit të gjitha vendet që kanë siguruar doza vaksinash anti-Covid.

Vendet me të ardhura të larta,po vaksinojnë tashmë popullatat e tyre më të rrezikuara. Por dozat që do të blihen më vonë gjatë këtij viti – të cilat pritet të përdoren për popullatën në përgjithësi, që ka një rrezik të ulët nga virusi- mund të ri-grumbullohen tek nisma COVAX.

COVAX i vendosi vetes një synim fillestar të mbulimit të 20 për qind të popullatës më të rrezikuar, të vendeve pjesëmarrëse në nismë brenda këtij viti. Ky qëllim është shumë nën pragun e nevojshëm për arritjen e imunitetit të tufës, dhe shumë më i ulët sesa ajo që do të toleronin për vendet e tyre vendet me të ardhura të larta.

Rialokimi do t’i jepte mundësi COVAX që t`a tejkalonte këtë objektiv, të nxiste rritjen e ekonomisë globale, dhe të shpëtonte jetën e shumë njerëzve. Njëherazi, të gjitha vendet duhet të rrisin fondet e tyre për ACT-Accelerator, një nismë globale e drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për shpërndarjen e drejtë të tamponëve dhe ilaçeve për trajtimin e Covid-19.

Në këtë mënyrë mund të mblidhen 24 miliardë dollarët që do të nevojiten këtë vit për të siguruar qasjen globale jo vetëm tek vaksinat, por edhe tek testet, pajisjet mbrojtëse personale, dhe terapitë që mund t’i ndihmojnë vendet kur vaksinat vonojnë.

Vendet e pasura, duhet të marrin përsipër pjesën më të madhe të barrës globale për t’i dhënë fund pandemisë. Presidenti i ri amerikan Joe Biden ka premtuar një paketë të madhe të rimëkëmbjes nga Covid-19. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të pasura do të angazhonin vetëm 2 për qind të shpenzimeve nga paketat anti-krizë, ato do të grumbullonin rreth 260 miliardë dollarë fonde.

Kjo shumë mund të mbulojë nevojat e ACT-Accelerator, dhe më shumë sesa kaq. Ajo do t’i japë gjithashtu mundësi Programit Botëror të Ushqimit të OKB që të përmbushë nevojat e më shumë se 270 milionë njerëzve që përballen ose rrezikohen direkt nga pasiguria akute e ushqimit. / Marrë me shkurtime nga “Foreign Affairs”