Aktualitet

Paradoksi në PD/ Basha nuk do të njohë zgjedhjet, por në shtator futet në Parlament

Published

on


Situata në Partinë Demokratike, sa vjen dhe bëhet më tragjikomike.

Pasditen e sotme në selinë e kësaj partie është zvhilluar një mbledhje me deputetët dhe kandidatët jo fitues.

Aty janë shprehur opinione të ndryshme për aksionin politik që duhet të ndjekë opozita pas humbjes së zgjedhjeve për herë të katërt.

Kryetari i partisë, Lulzim Basha, prej ditësh ka deklaruar se “lufta do të vijojë deri në fitore”, duke nënkuptuar se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i partisë. Ai dhe eksponentë të tjerë të PD-së, kanë deklaruar se zgjedhjet e 25 prillit nuk do të njihen. Por, me sa duket opozita do të futet në parlament, pra deputetët e dalë nga zgjedhjet do të marrin mandatet…

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura, bëjnë me dije për gazetarin Juxhin Mustafaraj të ABC, se kryedemokrati Basha ka pohuar se në shtator do të jenë në Parlament. “Betejën në shtator do ta vazhdojmë në Parlament,” ka thënë Basha.

Ndryshe nga Basha, Mark Marku ka kërkuar nisjen e protestave. Sipas tij duhet të lihen mënjanë procedurat dhe të nisin protestat, duke theksuar se ka ardhur koha që demokratët të tregojnë si mbrohet vota.

“Duhet të lemë procedurat, ka ardhur koha të tregojmë si e mbrojmë ne votën. Duhet të nisim protestat popullore,” ka thënë Marku.

Ndërkohë Lulzim Basha ka lajmëruar nisjen e një turi në mbarë Shqipërinë, për të mbledhur prova për manipulimin e zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, disa eksponentë të rëndësishëm të PD-së, kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të tij, pas dështimeve të njëpasnjëshme. Mes tyre renditen edhe ish presidenti Bujar Nishani dhe një nga themeluesit e PD-së, Arben Imami.

Exit mobile version