Aktualitet
Ja sa është pasuria e Lefter Kokës, / BIRN: Ka burime të pamjaftueshme financiare për dy vite të karrierës
Published
4 years agoon
By
a.aIsh-ministri i Mjedisit, Lefter Koka deklaron pasuri familjare me vlerë 756 milionë lekë të investuara kryesisht në pasuri të patundshme dhe kapitale biznesi. Pavarësisht burimeve të deklaruara, ai rezulton me burime të pamjaftueshme financiare për dy vite të karrierës.
Lefter Koka u zgjodh ministër i Mjedisit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai u largua nga funksioni pas një mandati të plotë në vitin 2017, si pasojë e prishjes së koalicionit PS-LSI.
Lefter Koka ka përfunduar studimet në Fakultetit e Shkencave Juridike në Strugë. Ai u përfshi në politikë në vitin 2000 si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas angazhimit në sektorin privat. Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ndërsa prej vitit 2009 është deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndryshe nga shumica e deputetëve të opozitës, Lefter Koka nuk pranoi ta djegë mandatin e deputetit në shkurt 2019, ndërsa në nëntor 2020 ai iu bashkua Partisë Socialiste.
Ky raport u prodhua nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës për pasuritë e anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga ish-ministri Lefter Koka nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF]
Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2003, Lefter Koka deklaronte pasuri me vlerë rreth 204 milionë lekë, e përbërë kryesisht nga kuotat e tij në tre kompani biznesi. Ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare e Z.Koka është rritur me mbi 3 herë, duke kapur vlerën e rreth 756 milionë lekëve.
Z.Koka deklaron familjarisht pasuri të patundshme me vlerë 495.9 milionë lekë, pjesë në kapital prej gati 242 milionë lekësh, likujditete bankare prej 11 milionë lekësh, automjete me vlerë 5.1 milionë lekë dhe kursime në cash prej 2.7 milionë lekësh.
Të ardhurat familjare gjatë periudhës deklaruese janë 286.5 milionë lekë, nga të cilat rreth 53% kanë si burim të deklaruar shitjen e pasurive të patundshme dhe 8% të ardhurat nga qiratë. Paga e Z. Koka zë 8% të totalit, ndërsa pagat e familjarëve rreth 4%. Ndonëse zotëron vlera të konsiderueshme si kapitale në kompani biznesi, fitimet e deklaruara prej tyre janë vetëm në masën 0.40% të të ardhurave totale.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, dy prej deklaratave rezultuan me probleme.
Ish-ministri Lefter Koka dhe bashkëshortja e tij rezultojnë me burime të pamjaftueshme financiare të deklaruara në vitet 2013 dhe 2014; përkatësisht në shumat 6,700,597 lekë dhe 117,161,280 lekë, pavarësisht burime të konsiderueshme të deklaruara nga huatë, kreditë dhe të ardhurat nga shitja e apartamenteve.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi një seri “flamujsh të kuq”, që lidhen me transaksionet e shumta me kompanitë në pronësi të anëtarëve të familjes si dhe me vlerat e marra hua.
Z.Koka ka deklaruar rregullisht pasurinë në vitet 2003-2007 dhe ka një shkëputje të deklarimeve nga viti 2007 deri në vitin 2009. Me rideklarimin e plotë në vitin 2009, ai deklaron si pasuri të shtuara sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe trualli në Durrës dhe Sarandë, me burim të deklaruar një hua prej 250 milionë lekësh të marrë nga kompania SucrAlba sh.p.k si dhe transferimi i kapitalit të shoqërisë Oert sh.p.k.
Në këtë periudhë kanë pikënisje kontratat e shkëmbimit dhe sipërmarrjes mes subjektit dhe shoqërisë “ëind Co” në pronësinë 100% të bashkëshortes së tij. Nga shkëmbimet e truallit apo kontratat e sipërmarrjes me kompaninë e bashkëshortes, Z.Koka ka përfituar rreth 9 mijë metra sipërfaqe ndërtimi gjatë viteve 2011-2013, shitja apo shkëmbimi i së cilave kanë sjellë një rritje të konsiderueshme të vlerës së pasurisë.
Si burim për shtimin e pasurisë në vitin 2009, Z.Koka deklaron huanë prej 250 milionë lekësh nga kompania SucrAlba dhe të ardhurat nga biznesi, por nuk është e deklaruar qartë sa ka qenë fitimi nga shoqëritë tregtare që subjekti dhe familjarët e tij kanë në pronësi. Të vetmet të ardhura nga fitimi i shoqërive deklarohen në vitin 2015 dhe 2016 në shumat 390,000 lekë dhe 752,000 lekë.
Në vitin 2011 deklarohet blerja e pronave të patundshme [apartamente+troje] me vlerë totale 33,363,990 lekë, me të ardhurat e marra nga anulimi i kontratave të vitit 2007 me shoqërinë D. H. Construksion shpk – por këto kontrata nuk rezultojnë të jenë deklaruar në vitet e mëparshme.
Në vitin 2014 deklarohet një kontratë qeraje me shoqërinë Portobello sh.p.k, të administruar nga djali i subjektit në shumën 20,000 euro/muaj për katër pasuri me vendndodhje në Durrës. Nga kontrata e qerasë janë përfituar 80,000 euro për vitin 2014 dhe më pas pronat janë lënë në huapërdorje të kompanisë Portobello.
Subjekti Lefter Koka i ka shitur 5% të kuotave në shoqërinë SucrAlba shpk ortakut tjetër në vitin 2011, por mbetet e paqartë se çfarë ndodh me detyrimet e pashlyera ndaj kësaj kompanie. Me gjithë shlyerjet e realizuara ndër vite, vlera e mbetur e detyrimit në fund të vitit 2016 është 130,752,067 lekë.
Gjatë gjithë periudhës deklaruese konstatohen transaksione të shumta mes kapitalit të biznesit dhe kapitalit personal të subjektit dhe bashkëshortes së tij, si huamarrje, transferime, shkëmbim, gjithashtu marrëdhënie dhurimi e shkëmbimi pronash mes anëtarëve të familjes.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata Para Fillimit të Detyrës 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Deklarata e pasurisë së vitit 2018
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë .Gazeta Birn.