Aktualitet

“PD nuk është Call-Center”, Agron Shehaj për deklaratat e Gjekmarkajt: Nuk më habit, e injoroj…

Published

on

Pak ditë më parë, deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, i promovuar në parti nga Lulzim Basha, sulmoi kandidatin për kryetar të partisë, Agron Shehaj.

Ai deklaroi se Partia Demokratike nuk është “një call-center”, duke i’u referuar me ironi bizneseve të Shehajt.

Mbrëmjen e sotme, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Shehaj është pyetur lidhur me këtë deklaratë. Ai tha se nuk është aspak i habitur, por zgjedh ta injorojë Gjekmarkajn.

“Nuk më habit dhe e injoroj. I ftoj të gjithë ata që mund të ndihen të fyer ta injorojnë gjithashtu”, deklaroi Shehaj.

Shehaj shpjegoi përse ka vendosur të kandidojë për kryetar të Partisë Demokratike dhe përse ndryshimi i lidershipit është e vetmja mënyrë për të sjellë PD-në në pushtet.

Shehaj tha se punoi shumë gjatë fushatës, që PD të vinte në pushtet dhe Basha të bëhej kryeministër, por deklaroi se puna e tij nuk u vlerësua.

Pas humbjes së zgjedhjeve, duke patur parasysh reagimin dhe mungesën totale të reflektimit, u binda që me këtë lidership në krye, ne nuk mund të fitojmë. Mendoj se është detyra ime, si e çdo demokrati, që nëse është i bindur që kështu nuk fitohet, duhet ti futemi punës dhe të kërkojmë ndryshimin.

PD mund të fitojë vetëm nëse bëhet më e fortë, nëse përfshijmë sa më shumë njerëz të aftë në PD. Vetëm nëse listën e kandidatëve e vendosin anëtarët, jo duke thënë kë nuk duan, por kë duan. Duke bërë listën e kandidatëve në bazë të votave që kanë marrë nga anëtarësia. Kjo e bën PD-në më të fortë. Vetëm anëtarësia e di se kush është i mirë për të përfaqësuar demokratët.

Gjatë zgjedhjeve kam punuar me mish e me shpirt që PD të merrte pushtetin dhe Basha të bëhej kryeministër. Puna ime në vend të vlerësohej, jo vetëm nuk u vlerësua, por u quajt si një punë për vete dhe jo për partinë. Ti thuash deputetëve mos punoni, ose punoni për partinë por jo për vete, nuk e ka ndihmuar Partinë Demokratike“.

Shehaj komentoi edhe faktin se gara për kryetar nuk është në kushte të barabarta dhe se listat e anëtarësisë i posedon vetëm Lulzim Basha.

Gara nuk është në kushte të barabarta. Vetëm çështja e listave e bën garën jo të barabartë. Jo vetëm kryetari aktual, por cdo kryetar i një partie, nëse humb zgjedhjet duhet të japë dorëheqjen dhe të mos kandidojë.

Nuk mund të ketë garë të barabartë, kur listën e ka vetëm njëri nga kandidatët. Basha është i vetmi kandidat që ka listat.

Duke u futur në garë ndaj kryetarit aktual, e forcon Partinë Demokratike, nuk jam kundër kësaj partie. Jam në PD sot dhe do të jem edhe nesër. Unë do të punoj për PD-në, pavarësisht rezultatit. Do t’i shërbej demokratëve, sot, nesër dhe nëse fitojmë zgjedhjet, do t’i shërbej shqiptarëve“, deklaroi Shehaj.

Exit mobile version