Politike

PD: Qeveria vodhi edhe thesin me miell për më të pamundurit gjatë karantinës

Published

on

DHURATA ÇUPI, ish deputete e Partisë Demokratike, ka reaguar sot në lidhje me çështjen e ndihmave që qeveria shpërndahu gjatë periudhës së COVID-19. “Qeveria e Edi Ramës ka prekur fundin. Ajo ka vjedhur thesin me miell në ndihmat e shpërndara për familjet në nevojë gjatë kohës së karantinës dhe e ka zëvendësuar atë me hurma arabie”, u shpreh sot për mediat ish deputetja.

Deklarata e plotë:

Investigimi i  i 2 gazetareve kurajozë, i publikuar nga rrjeti investigativ BIRN, është shokues. Qeveria e përdori pandeminë për të vjedhur edhe bukën e gojës të atyre që, në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës, vuajnë për një copë bukë dhe flenë me barkun bosh nga skamja.

Edi Rama premtoi se asnjë familje në nevojë nuk do t’i mungonte thesi i miellit, por gazetaret kanë zbuluar se ky ishte mashtrim. Thesi i miellit u zhduk nga pakot e Ministrisë së Mbrojtjes dhe u zëvendësua me 2 kilogramë hurma arabie.

Ky është veprimi më i ulët që mund të bëjë një qeveri kundrejt qytetarëve të vet më të pamundur. Të vjedhësh thesin e miellit, do të thotë se nuk ka mbetur më asnjë gram humanizëm tek kjo qeveri dhe se babëzia për t’u pasuruar duke vjedhur bukën e gojës të më të varfërve në ditën e tyre më të keqe, është i vetmi motiv për qeverinë e Edi Ramës.

Edhe tenderi urgjent për ushqimet i Ministrisë së Mbrojtjes, që ne e kemi denoncuar publikisht dhe e kemi kallëzuar në SPAK, ka qenë vetëm një mekanizëm për të vjedhur. Jo vetëm që në kohën e tenderit urgjent, magazinat e rezervave të shtetit ishin plot, por këto ndihma që iu dhanë një kompanie të paracaktuar maqedonase, nuk shkuan kurrë tek njerëzit në nevojë.

Nga SPAK nuk ka akoma asnjë përgjigje për këtë vjedhje skandaloze me ndihmat ushqimore për qytetarët shqiptarë në kohën kur ata kishin më shumë nevojë për to.

Investigimi i BIRN-it fakton atë që ka denoncuar çdo ditë Partia Demokratike. Ajo çfarë shqiptarët kanë parë në ekranin e televizorit dhe në faqen e facebookut të kryeministrit, Ministres së Mbrojtjes apo kryebashkiakut të Tiranës është një tallje me njerëzit e varfër, me pensionistët, me familjet që mbijetojnë me ndihmë ekonomike apo me ndonjë punë në të zezë, që rrallë gjendej gjatë karantinës.

Pandemia u mësoi shqiptarëve një mësim të vlefshëm. Rreziku më i madh për qytetarët nuk vjen nga COVID-i. Ndaj tij mund të mbrohesh me masat e duhura. Rreziku më i madh për ekonominë e çdo familje është Ramavirusi. Ai vjedh me çdo tender taksat e shqiptarëve, vjedh ndihmat, fut dorën hajdute tek thesi i miellit.

Vaksina e vetme për këtë virus të rrezikshëm është largimi me votë i Edi Ramës dhe qeverisë së tij të dështuar e të kalbur nga korrupsioni. Vendit i duhet ndryshim dhe një qeveri që punon me ndershmëri dhe i shërben interesit publik.​

 

 

Exit mobile version