Connect with us

Aktualitet

Pesë deputetë të mundshëm nga komunitetet konfirmojnë votën për Qeverinë Kurti

Published

on

Kur kanë mbetur edhe pak vota pa u numëruar nga diaspora në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, kanë filluar edhe lëvizjet e para se kush mund të jenë partnerët e mundshëm të Lëvizjes Vetëvendosje në qeverinë e ardhshme që pritet të votohet nga deputetët e ardhshëm të Kuvendit.

Pesë deputetë të mundshëm nga partitë e komuniteteve në Kosovë, kanë konfirmuar për Telegrafin se do të votojnë pro një qeverie të udhëhequr nga Albin Kurti.

Partia turke, KDTP që pritet t’i ketë dy përfaqësues si dhe deputetët tjerë të mundshëm, Emilija Rexhepi nga komuniteti boshnjak, Danush Ademi nga komuniteti ashkali dhe Elbert Krasniqi nga komuniteti egjiptian pritet që ta përkrahin formimin e Qeverisë Kurti 2.

Fikrim Damka nga Partia Demokratike Turke në Kosovës, ka thënë se ata do të kenë takim me Kurtin para formimit të Qeverisë, megjithëse ka shtuar se gjithmonë kanë qenë pro formimit të institucioneve të Kosovës gjatë këtyre viteve.

“Ende nuk kemi zhvilluar takim me Kurtin për të biseduar për krijimin e institucioneve, besoj se pas rezultateve përfundimtare do të kemi takim për krijimin e Qeverisë. Por, ne si KDTP gjithmonë kemi qenë përkrahës në krijimin e institucioneve, rolin e kemi pasur konstruktiv për të mirën e Kosovës. Për kërkesat do të bisedojmë me kryeministrin por kërkesat tone janë për interesin komunitetin sidomos që të përfshihet në programin qeverisës”, u shpreh Damka për Telegrafin.