
Popullsia shqiptare ka arritur në nivelin më të ulët të 3 dekadave që pas rënies së sistemit komunist.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave Shqiptare, më 1 janar 2021 në vendin tonë rezultojnë 2.829.741 banorë, duke u tkurrur me 0.6% krahasuar me një vit më parë, ndërsa që jetojnë 230 mijë banorë më pak se në vitin 2001.




Tirana dhe Durrësi rezultuan dy qarqet me rritjen e vetme të numrit të popullsisë, për shkak të migracionit të brendshëm, ndërsa rënien më të madhe e pati Gjirokastra, Berati dhe Dibra. Kukësi nga ana tjetër mbetet vendi me numrin më të lartë të popullsisë të moshuar.
Gjatë vitit që shkoi numri i vdekjeve kapi shifrën e 27.605 personave, duke pësuar rritjen më të lartë të dekadës së fundit me 25.8%.
Edhe numri i lindjeve ka qenë më i ulët se në 2019-n me 28.075 foshnja në total, duke bërë që shtesa natyrore e popullsisë të bjerë me normën 93%.
Megjithëse në vit pandemie, ku për një periudhë kohe kufijtë kanë qenë të mbyllur dhe shumica e vendeve europiane janë zhytur në krizë ekonomike, kjo e ka ndalur valën e emigracionit të shqiptarëve.




Sipas INSTAT në total kanë emigruar 23.854 persona. Shifra rezulton më e ulët se në vitin 2019 dhe më i ulët është dhe numri i rezidentëve jo shqiptarë që kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri.
Mosha mesatare e popullsisë shqiptare arriti në 37.6 vjeç nga 37.2 që ishte një vit më parë, duke vijuar tendencën e plakjes së popullatës.
Tv Klan