Lajme

Probleme te Skënderbeu, mesfushori senegalez braktis klubin

Published

on

 

Ndeki dhe Skënderbeu ndërpresin bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Mesfushori senegalez duket se nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me klubin bardhekuq dhe për pasojë ka ndërprerë çdo bashkëpunim me ta.

Gjithçka duket se ka nisur pas përfundimit të pandemisë. I acaruar nga situata e krijuar dhe nga qëndrimi i izoluar në Shqipëri pa pasur mundësinë për të shkuar pranë familjes, Ndeki ka marrë vendimin për të përfunduar aventurën e tij si bardhekuq. Por mënyra se si ka zgjedhur ta bëjë një gjë të tillë, duket se nuk ka qenë ajo e duhura për lojtarin dhe klubin.

Skënderbeu kishte një kontratë të vlefshme huazimi me Fortuna Dyseldorf deri në fund të këtij sezoni, por duke qenë se prej pandemisë gjithçka u pezullua, Skënderbeu kërkoi sikundër me të gjithë lojtarët zgjatjen e bashkëpunimit. Këtu filloi gjithçka. Fillimisht Ndeki pranoi një bashkëpunim deri në fund të mbylljes së sezonit, por më pas befas gjithçka ndryshoi.

Ndeki fillimisht ankohej për një dëmtim në kofshë dhe kërkoi terapi për rikuperimin. Pas më shumë se një jave Skënderbeu u “dorëzua” dhe u detyrua të pranonte largimin e lojtarit drejt Gjermanisë për të kryer terapitë edhe pse e dinte se pas këtij preteksti fshihej diçka tjetër.

Me t’u larguar me pretekstin e dëmtimit, Ndeki vuri në dijeni Skënderbeun se bashkëpunimi mes tyre kishte marrë fund. “Panorama Sport” mëson se senegalezi njoftoi klubin duke i vënë në dukje se në bazë të kontratës, gjithçka do të mbyllej në muajin maj. Dhe pavarësisht pandemisë nuk ka pranuar një zgjatje të marrëveshjes.

Në këtë mënyrë Skënderbeu e ka gjetur veten me një lojtar më pak në përbërjen e ekipit dhe mbi të gjitha me një futbollist cilësor, i cili ishte i aftë që të mbulonte disa role në fushë duke u bërë një “xhol” për trajnerin Ilir Daja.

Exit mobile version