Connect with us

Aktualitet

Propaganda me vaksinat/ Të moshuarit edhe mbi 80 vjeç refuzohen nga mjekët

Published

on

Spektakli me vaksinat është shndërruar në kryefjalë të propagandës qeveritare, për fushatën e 25 Prillit. Rama ka udhëtuar në qytetet kryesore ku ka nisur vaksinimi i bluzave të bardha dhe i të moshuarve, si në Shkodër, në Fier, në Korçë dhe në Vlorë, duke folur për përpjekjet që po bën personalisht për vaksinimin e popullsisë.

Por të moshuarit në Vlorë dhe në Shkodër këtë të hënë u përballën me realitetin përtej propagandës në televizor, kur u thirrën në qendrat e vaksinimit dhe më pas u larguan pa e marrë vaksinën. Pas rekomandimit të marrë nga mjeku i familjes, të moshuarit u vunë në radhë njëri pas tjetrit për të pritur trajtimin. Por mjekët dhe infermierët që do t’i prisnin në qendra u thanë se mosha minimale për të marrë vaksinën ishte mbi 90 vjeç dhe jo mbi 80 vjeç siç është thënë vazhdimisht nga autoritetet.

“Na thane për moshën mbi 90 vjeç. Unë jam 83 vjeç…” është shprehur një prej të moshuarve në Shkodër për mediat. “Është e treta here sot që kam ardhur dhe nuk japin asnjë përgjigje. As kur do të vijmë, asgjë”

Njësoj edhe në Vlorë, ku njoftimi i parë ka qenë për të moshuarit mbi 80 vjeç, por duke qenë se dozat e vaksinave janë të pakta, janë vaksinuar vetëm ata mbi 90 vjeç. “Ata thanë mbi 80 vjeç. Unë jam 82. Pse të mos e bëj?” është ankuar një tjetër, që priste para qendrave të vaksinimit. Vetë Manastirliu në parlament, po sot, përsëriste se pas mjekëve e kishin radhën moshat mbi 80 vjeç.
Dhe ne do të vijojmë me intensifikimin e vaksinimit, duke përmbyllur stafet tona mjekësore dhe duke vijuar me vaksinimin e grupmoshës +80” ishte deklarata e saj në kuvend, me të cilën mbajti gjallë shpresën e mijëra të moshuarve, që presin radhën për të marrë një dozë kundër covid.