Aktualitet

PS zyrtarizon kërkesën e dytë për shkarkimin e Presidentit Meta/ VOA: Është ende e paqartë nëse socialistët…

Published

on

Një grup deputetësh të Partisë Socialiste i kërkuan parlamentit shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për shkak të shkeljeve, që sipas tyre, ai i bëri Kushtetutës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit.

Kërkesën e konfirmoi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një konferencë shtypi, pas mbledhjes së konferencës së kryetarëve, ku u miratua program i parlamentit në vazhdim.

“Para dhe gjatë fushatës zgjedhore Presidenti ka kryer veprime që bien në kundërshtim me Kushtetutën. Kërkesa e deputetëve i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për t’u shqyrtuar nga Kuvendi, i cili e ka sovranitetin e duhur për të ushtruar mandatin e tij deri më 8 korrik” – tha zoti Balla.

Kërkesa e socialistëve do të shqyrtohet në komisionin e ligjeve dhe më pas mund të ngrihet një komision hetimor.

Presidenti Meta reagoi menjëherë për këtë nismë, duke e quajtur një “shashkë”, që synon të shmangë hetimin e krimeve zgjedhore. Ai theksoi se “asgjë nuk ka përfunduar” dhe është detyrë e gjithë subjekteve politike ta ndjekin procesin zgjedhor deri në fund. “Të përqëndrohemi në mbylljen e procesit zgjedhor. Të vazhdojë administrimi i çdo kontestimi dhe ankese deri në rinumërimin e votës së fundit” – tha zoti Meta.

Mandati i rregullt i Presidentit Meta përfundon në korrik të vitit të ardhshëm.

Një propozim për të shkarkuar Presidentin nevojitet të miratohet me dy të tretat e votave në parlament. Më pas, vendimi i shkon Gjykatës Kushtetuese, e cila ka fjalën e fundit për shkarkimin e presidentit.

Ende nuk është e qartë nëse parlamenti aktual, të cilin zoti Meta e quan si antikushtetues për shkak të mandateve të djegura dhe moszëvendësimit të plotë të tyre, i ka apo jo votat e mjaftueshme për shkarkimin e tij.

Po ashtu mbetet për t’u parë nëse dy muajt e mbetur deri në fillim të korrikut do t’i mjaftojnë këtij parlamenti për të ndjekur gjithë procedurat e parashikuara për shkarkim.

Kjo është hera e dytë që shumica socialiste hap procedurat për shkarkimin e presidentit.

Përpjekja e parë u bë në vitin 2019, për shkak të dy vendimeve të presidentit, fillimisht për shtyrjen e datës së zgjedhjeve vendore të qershorit dhe më pas, në nëntor të po atij viti, pas përplasjeve mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Në korrik të vitit 2020, komisioni hetimor parlamentar i kontrolluar nga socialistët, pasi priti edhe opinion e Komisionit të Venecias, arriti në përfundimin se presidenti Meta kishte tejkaluar kompetencat, por shkeljet nuk ishin të asaj shkalle sa të justifikonin shkarkimin e tij. /VOA

Exit mobile version