Aktualitet

Pse Rama i mandatit të dytë, është më i rrezikshëm se Berisha i 2013-ës

Published

on

Nga Fatos Lubonja

Përpara se të shkruaja këtë analizë parazgjedhore, vendosa të lexoj çfarë kam shkruar nëntë vjet më parë në prag të zgjedhjeve të vitit 2013. Vura re, edhe me një farë habie, se problematika thelbësore ka mbetur po ajo, por, duke u thelluar në manifestimin e saj sot, arrita në përfundimin se jemi në një spirale zbritëse me një përshpejtim të dukshëm rënieje në krahasim me nëntë vjet më parë.

DILEMA BASHKIM APO PASTRIM

Duke analizuar aktivitetin e opozitës së asaj kohe (PS), vërej se brenda saj ka pasur dy qëndrime. Sipas njërit, kali kryesor i betejës elektorale duhet të ishte lufta kundër autoritarizmit të Berishës, kapjes prej tij të institucioneve, krijimit të monopoleve, prandaj duhej bërë një koalicion opozitar sa më i gjerë, duke përfshirë edhe LSI-në, që kishte qenë pjesë e maxhorancës.

Sipas tjetrit, të formuluar kryesisht nga Ben Blushi, opozita duhej të bënte koalicion me zgjedhësit, jo me partitë e vogla, aq më pak me LSI. Këtë dualizëm e kam quajtur “dilema bashkim apo pastrim” në kuptimin që nëse nga një anë “bashkimi”, në emër të mbrojtjes nga rrezikimi i themeleve të demokracisë, nënkuptonte bashkimin me Ilir Metën e akuzuar për korrupsion (por edhe mundësi më të mëdha organizative, financiare e mediatike për të fituar zgjedhjet), më anë tjetër, “pastrimi” i duhej opozitës për të fituar besimin e humbur të zgjedhësve të thjeshtë të zhgënjyer nga politika e sistemit oligarkik të ngritur (por me rrezikimin e humbjes së zgjedhjeve).

Si përfundim kam shkruar se:

“Një dalje e PS në zgjedhje përkrah LSI, sigurisht do të jepte sinjalin se pak gjë do të ndryshojë në Shqipëri për sa i përket korrupsionit, por do të ishte sinjal i qartë për elektoratin se autoritarizmi i Berishës, rreziku i kapjes prej tij i të gjitha institucioneve i ka bashkuar të gjithë”, prandaj “fushata do të duhej të impostohej si luftë kundër autoritarizmit dhe do të kërkonte premtime konkrete nga opozita e bashkuar për vendosjen dhe forcimin e institucioneve të pavarura”.

Pra, kam qenë për bashkimin, duke paralajmëruar se vërtet “në këtë rast koha e “pastrimit” […] do të shtyhet”, por “pa demokraci është vështirë të mund të realizohen edhe gjëra të tilla”. (“PS, bashkë apo vetëm” Panorama, 11 prill 2012)

DILEMA EVOLUCION APO REVOLUCION

Vërejtja më serioze që më ka ardhur ndaj këtij shkrimi, ishte ajo se më mirë të fitonte edhe një herë PD, që pastaj bashkë me Berishën e mandatit të tretë të rrëzohej e gjithë kasta e korruptuar në pushtet, sepse përndryshe ky lloj rrotacioni Berisha-Rama-Meta-Berisha- e kështu me radhë – do t’i shërbente sistemit si fasadë, ndërkohë që duhej grisur kjo fasadë në mënyrë që ta shihnim qartazi egërsirën e sistemit të grabitjes, që këto banda kanë ngritur së bashku e të dimë më mirë se kë të luftojmë e si ta luftojmë. Në shkrimin pasardhës i jam përgjigur këtij argumenti duke u shprehur se:

“Megjithëse i kam quajtur ‘banda’ dhe jo ‘parti’” dhe “kam folur për nevojën e distancimit nga të dyja në emër të diçkaje të re” prapë kisha shumë rezerva ndaj variantit të sugjeruar, pasi “vështirë të lindë një lëvizje e re, e shëndoshë, në një vend të zhytur në një proces krize dhe degradimi si ky i yni” se me “një rini gjithnjë e më të paarsimuar, gjithnjë e më të frustruar, gjithnjë e më të lidhur me krimin […] vështirë të imagjinosh se prej saj mund të lindë një lëvizje që mund të na sjellë më shumë liri, demokraci e shtet ligjor”.

Zgjidhja që kam propozuar, ishte ajo që propozoj edhe sot, se duheshin bërë të gjitha përpjekjet që partitë/banda “të reshtin luftën asgjësuese për kontroll të plotë të territorit dhe pushtetit dhe të kthehen në parti të kontrollueshme nga drejtësia, të kontrollueshme nga mediat, të kontrollueshme edhe nga zgjedhësi nëpërmjet votës së tij”. (Dilema evolucion – revolucion, “Panorama”, 18 prill 2012).

* * * Sot, pas nëntë vjetësh, konstatoj se dilemat “bashkim apo pastrim”, “evolucion apo revolucion” mbeten po aq, madje edhe më të debatueshme kur flasim për Ramën e sotëm sesa për Berishën e djeshëm.

Ashtu si edhe tetë vjet më parë, ka që thonë se është më mirë ta marrë Rama edhe një herë, që pastaj të ndodhë pastrimi dhe ndëshkimi nëpërmjet një force të re (japin edhe shembullin e VV në Kosovë) dhe syresh që kërkojnë bashkimin e opozitës kundër autoritarizmit, kapjes së institucioneve, krijimit të monopoleve nga ana e Ramës.

Personalisht, duke u nisur edhe nga përvoja e zhgënjimeve me dy lëvizjet për pastrim që lindën në katërvjeçarin e parë (ajo e Bojaxhiut dhe “Libra” e Blushit) dhe nga konteksti që po jetojmë, përsëris nevojën për bashkim opozitar të partive/ banda të sistemit në emër të frenimit të rrëshqitjes në një spirale zbritëse gjithnjë e më të rrezikshme në kuptimin e demokracisë, por edhe atë ekonomik.

Exit mobile version