Aktualitet

Rama-Vuçiç e Zaev bëhen bashkë në Shkup, ironizon Boiken Abazi: 108 vite nga Konferenca e Londrës te marrëveshjet e “Jugosllavisë së Re”

Published

on

Kreu i Vetëvendosjes në Tiranë, Boiken Abazi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me Forumin Ekonomik mbajtur në Maqedoninë e Veriut dhe memorandumeve të nënshkruara mes Kryeministrave Rama e Zaev dhe Presidentit të Serbisë Vuçiç.

Abazi shkruan se Forumi Ekonomik përkon me 108 vjetorin e Konferencës së Londrës, ku ambasadorët morën një vendim formal për t’i njohur Shqipërisë së pavarur vetëm gjysmën e territorit të saj, ndërsa sot vijon ai, Rama po nënshkruan kokë më vete nën trysninë dhe joshjen nga Serbia, bashkë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe KM e RMV Zoran Zaev, marrëveshje ekonomiko tregtare që e vendosin Shqipërinë nën vasalitetin e Serbisë, duke formalizuar vendimet e “Zonës së Novi Sadit”.

Postimi i plotë:

Në Konferencën e Londrës, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për t’i njohur Shqipërisë së pavarur vetëm gjysmën e territorit të saj, duke lënë jashtë kufijve mbi 40% të popullit shqiptar, nën trysninë e Serbisë dhe Greqisë. Vendimet e asaj konference krijuan një padrejtësi historike që populli shqiptar e vuan sot e këdaj dite.

Sot, 108 vite më vonë, më 29 korrik 2021, pa presionin e ambasadorëve, KM Edi Rama po nënshkruan kokë më vete nën trysninë dhe joshjen nga Serbia, bashkë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe KM e RMV Zoran Zaev, marrëveshje ekonomiko tregtare që e vendosin Shqipërinë nën vasalitetin e Serbisë, duke formalizuar vendimet e “Zonës së Novi Sadit” (Mini-Shengenit që po i ndryshojnë emrin, por jo përmbajtjen).

Nënshkrimet e Edi Ramës sot do të mbeten gjithashtu në histori. Ato janë nënshkrime të një kryeministri kolaboracionist me planet ekspansioniste të Serbisë.

Me këto marrëveshje Rama e vendos ekonomikisht Shqipërinë nën dominimin ekonomik të Serbisë, duke e varfëruar më tej vendin.

Me këto marrëveshje Rama tenton të sabotojë përpjekjen për ta vendosur Serbinë para drejtësisë për krimet dhe gjenocidet që ka kryer ndaj kombit shqiptar, duke i pastruar imazhin ndërkombëtarisht dhe duke ia normalizuar politikat agresive një Serbie që nuk kërkoi kurrë falje.

Me këto nënshkrime Edi Rama ka shkelur të drejtat e Kosovës dhe të mbarë kombit.

Nuk e dimë kush ia ka propozuar Ramës datën 29 korrik për këto marrëveshje, por datë më domethënëse nuk mund të gjente!

Exit mobile version