Connect with us

Aktualitet

Rrëfehet e moshuara: U përpoqën ta grabisnin, më mashtruan e më tërhoqën zvarrë

Published

on

Një e moshuar nga qyteti i Lushnjes ra pre e një grabitjeje, nga një vajzë 16-vjeçare e cila së bashku me të dashurin e saj i hynë në banesë.

Pasditen e djeshme, 64-vjeçarja Lume Zela ishte vetëm në banesë kur 16-vjeçarja Kristina Beqiri trokiti në derë duke i kërkuar ndihmë për një gotë ujë me pretendimin se ishte e sëmurë.

Pasi Zela e ftoi vajzën në shtëpi, 16-vjeçarja e spërkati atë me spraj lotsjellës në fytyrë, e lidhi dhe së bashku me të dashurin e saj e kyçi në një nga dhomat e shtëpisë.

Në banesë besohet se hyri edhe i dashuri i vajzës, 18-vjeçari Julian Kiptiu dhe të dy kontrolluan për sende me vlerë.

Pasi nuk gjetën gjë, adoleshentët u larguan që aty.

Zela doli nga banesa duke thyer xhamin e dritares dhe më pas njoftoi policinë. E moshuara ka rrëfyer me detaje se si ndodhi grabitja.

“I ra derës dhe unë dola. Aman më tha se jam lodhur, jam sëmurë tha.

Mundësisht një gotë ujë. I dhashë ujin. Futi duart në xhepa. Pa marrë gotën më drejtoi sprain, më kapën duart e më futën duart në fyt, më tërhoqën zvarrë, më çuan tek dhoma. Hidhnin valixhet, thashë çfarë po kërkojnë. I thashë çfarë kërkon, as të njoh e as më njeh, pastaj ikën se si duket i thërriti dikush”, rrëfen e moshuara.

Policia ka arrestuar 16-vjeçaren Kristina Beqiri dhe bashkëpunëtorin e saj Kiptiu me akuzën “Vjedhje me dhunë” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim si dhe sekuestroi sprain lotsjellës që ata kishin përdorur me qëllim vjedhjen.