Sociale

Rrethohuni nga njerëz që dinë të nxjerrin më të mirën nga ju,Negativiteti është ngjitës,

Published

on

Të dyja qëndrimet janë ngjitëse dhe, në fakt, shfaqen edhe më shumë kur jemi të ekspozuar ndaj negativitetit për një kohë të gjatë. Pjesa më e madhe e përgjegjësisë varet nga neuronet pasqyrë, themelore për zhvillimin e empatisë dhe aftësisë për të ditur si ta vendosim veten në këpucët e tjetrit. Kjo aftësi është pozitive, por gjithashtu mund të ketë një ndikim negativ, sepse ne lehtësisht mund ta përhapim negativitetin e atyre që na rrethojnë.

Negativiteti gjeneron negativitet

Edhe pse nuk jemi gjithnjë të gatshëm ta pranojmë, një studim i kryer nga Universiteti i Indiana-s ka zbuluar se, mendimet e të tjerëve prekin dhe ndikojnë sjelljen tonë. Studiuesit zbuluan se mendimet negative kanë një ndikim më të madh tek ne dhe gjenerojnë një ndryshim në qëndrime, krahasuar me mendimet pozitive. Gjatë studimit, pjesëmarrësit duhej të ekzaminonin lloje të ndryshme të produkteve.

Pas kësaj, ndanë mendimet e tyre me të tjerët, pozitivë dhe negativë. Studiuesit zbuluan se mendimet negative ndikuan në sjelljen e pjesëmarrësve të tjerë ndaj produktit në fjalë. Në praktikë, ata që më parë kishin mbajtur një qëndrim pozitiv, kanë treguar se janë më të ndjeshëm ndaj ndikimit të mendimeve negative të të tjerëve. Për më tepër, kur këta njerëz patën mundësinë për një konfrontim ballë për ballë me ata që i kishin këto mendime negative, ishin edhe më të prirur ndaj negativitetit. Ky eksperiment dërgon një mesazh shumë të qartë: negativiteti gjeneron negativitet.

Trishtimi përhapet si virus

Disa psikologë nga Universiteti i Harvardit kanë analizuar lidhjen midis gjendjeve emocionale dhe modeleve të marrëdhënieve. Nuk morën parasysh emocionet spontane ose të përbashkëta, që shpesh i përjetojmë kur kemi përvojë të përbashkët me dikë tjetër, por u përqendruan në ndikimin e ndryshimeve emocionale që ndikojnë gjendjet e njerëzve më të afërt me ne. U zbulua kështu, se ekziston një “model i përhapur” ashtu si viruset, dhe se burimet ngjitëse janë më të mëdha në rastin e trishtimit se sa te lumturia. Me fjalë të tjera, çdo mik i lumtur rrit shanset për të qenë të lumtur me 11%, por, një mik i trishtuar është i mjaftueshëm për të dyfishuar mundësinë që edhe ne të jemi të pakënaqur. Emocionet negative janë si gripi: sa më shumë miq të kenë, aq më shumë rriten shanset për t’u sëmurur. E njëjta gjë ndodh me trishtimin dhe depresionin.

Armiqësia dhe e keqja janë gjithashtu ngjitëse

Keqdashësinë ashtu si dhe armiqësinë, arrijmë ta perceptojmë në të njëjtën kohë. Diçka në trurin tonë ndryshon, bëhet fjalë për mënyrën tonë të perceptimit të botës. Interpretojmë papritmas ndërveprimet, dhe kjo na bën të mbajmë të njëjtin qëndrim, i cili do të përfundojë duke u përhapur. Kjo është treguar nga psikologët e Universitetit të Floridas, të cilët i kanë kërkuar një grupi personash të bisedojnë me njëri-tjetrin me partnerë të caktuar rastësisht.

Zbuluan se ata që ishin të ekspozuar ndaj qëndrimeve më të vrazhda, kishin më shumë gjasa të ishin të pasjellshëm me partnerin e tyre të ardhshëm. Më vonë, u kërkuan pjesëmarrësve të identifikojnë fjalët nga një seri letrash vënë në mënyrë të ngatërruar. Psikologët konstatuan se ata që ishin ekspozuar ndaj qëndrimeve më të vrazhda, me shumë ngjasë, gjenin fjalë të lidhura me emocione negative. Kjo tregon se ndërveprimet veprojnë sikur të ishin një filtër, sepse nëse mbetemi të ekspozuar ndaj ndërveprimeve negative, do të priremi të analizojmë gjithçka nga një këndvështrim negativ.

Rrethohuni nga njerëz që dinë të nxjerrin më të mirën në ju. Edhe pse nuk duam, gjendjet shpirtërore të personave që na rrethojnë, mund të kenë ndikim të madh në emocionet mbi qëndrimet tona. Ndaj, është e rëndësishme të jemi të vëmendshëm kur zgjedhim dikë të hyjë në rrethin tonë më intim. Duke u ekspozuar vazhdimisht ndaj pakënaqësive dhe negativitetit, do të përfundoni më keq, prandaj është thelbësore të rrethoheni nga njerëz që dinë të nxjerrin më të mirën nga ju.

Lajmi i mirë është se, kur jemi të vetëdijshëm për faktin se afeksioni emocional ekziston, mund të veprojmë si ekuilibrues, duke inkurajuar të tjerët dhe duke u përqendruar në anën më pozitive të gjërave. Është e vërtetë që emocionet pozitive janë shumë më pak ngjitëse, megjithatë, ato vazhdojnë të jenë dhurata më e mirë që mund t’i japim dikujt që po kalon një periudhë të keqe.

 

 

Përgatiti: Orjona TRESA

Exit mobile version