Lajme

Saimir Tahiri: “S’kam lidhje me Habilajt”!…por ndjesë për Audin

Published

on

Pas akuzave për përfshirje në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të marijuanës me kushërinjtë e tij Habilaj, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri reagoi duke kërkuar ndjesë vetëm për një gjë, që është shitja e automjetit pa kryer verifikimet e duhura se kujt po ja shiste.

“E pavarësisht se në vendin tonë rrallë ndodh që të bëhen këto verifikime, e më të shumtë janë ata që ti fshehin e t’i çojnë në emra të tjerë. Unë përsëri mbaj përgjegjësi morale të plotë për këtë veprim. Përtej kësaj as kam pasur dhe as kam asnjë raport të çfarëdollojshëm dhe aq më pak raport të paligjshëm. Nuk kam asnjë përgjegjësi më shumë dhe dënoj çdo veprimtari kriminale të kujtdo qofshin, edhe të këtyre që janë kushërinj të mi, të gradës së dhjetë, që as kanë hezituar të përdorin emrin tim dhe shpresoj që drejtësia t’i hetojë deri në fund e ti dënojë siç i takon atyre dhe kujtdo tjetër në bazë të ligjit”, tha Tahiri.

Por, sipas Tahirit, ai nuk është i pari politikan që i përdorin emrin kriminelët.

“Sigurisht që kriminelë që përdorin emra politikanësh a ministrash për t’u mburrur me njëri-tjetrin, në dobi të përfitimeve të tyre të paligjshme ka pafund dhe unë nuk jam as i pari dhe as i fundit”, u shpreh ish-ministri i Brendshëm.

Ish-ministri i Brendshëm iu ofrua drejtësisë për ta hetuar së bashku me familjen.

“Do të kërkoj nga Prokuroria, vetë personalisht dhe me vullnet të plotë, pa përfituar nga asnjë imunitet parlamentar dhe politik të cilët i refuzoi, të hetohet dhe verifikohet gjithçka, lidhur me mua dhe jo vetëm”, tha Tahiri.

Përveç kujtdo që e ka mbështetur, Tahiri nuk ngurroi të përfshijë në komunikimin publik edhe Kryeministrin Rama.

“Unë sot nuk kërkoj nga askush as të më besojë dhe aq më pak të më mbrojë publikisht. Më së pari nga kolegët e mi të partisë, në Parlament ose jo, në Qeveri ose jo dhe nga Kryeministri, pa asnjë diskutim. Unë do të pres deri në fund çdo verifikim dhe çdo hetim dhe as nuk do të rri duar kryq, por do të luftojë vetë që çdo e vërtetë të zbardhet deri në fund dhe drejtësia të thotë fjalën e saj”, u shpreh Saimir Tahiri.

Referenca e Tahirit ishte e qartë ndaj deklaratës së Edi Ramës, menjëherë pas publikimit të lajmit në Top Channel.

“Duam të dimë të vërtetën sa më parë. Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve! Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet. Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës”, shkroi Rama në “Facebook”.

Exit mobile version