Aktualitet

Shqetësimi për vaksinën e AstraZeneca, Vasili: Rama të paktën duhet t’a kishte pezulluar, jo t’u bëhet presion mësuesve ta bëjnë me pa derman

Published

on

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të pezullojë menjëherë përdorimin e vaksinës së AstraZeneca në Shqipëri.

Vasili thotë se një kryeministër human dhe i mençuar, do e bënte një evprim të tillë, dhe do rifillonte vaksinimin kur të jepte garanci Agjencia e Barnave Europiane.

Nga ana tjetër Vasili denoncon se vaksina e AstraZeneca në Shqipëri po injektohet tek mësuesit, që po kërcënohen dhe po u bëhet presion që ta bëjnë me detyrim.

‘’Ndërkohë sot u ofrohet të vaksinohen më një vaksinë të një kompanie të mirënjohur evropiane, por e cila ka krijuar disa dyshime. Dhe ndërkohë që e gjithë Europa, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali, Portugali, Danimarkë, Norvegji, qytetarë si ne e kanë pezulluar këtë vaksinë për të pritur verifikimet e mëtejshme për të qenë të sigurt. Ndërsa në Shqipëri u bëhet presion mësuesve që ta bëjnë me pa derman pa i pasur këto siguri duke e shndërruar këtë në një vaksinimin elektoral. Edhe këtë kishin mangut mësuesit?

Një kryeministër human, i mençur që i do njerëzit, nuk i urren ata, më e pakta të merrte masën e pezullimit siç kanë bërë miliona europianë të tjerë, të cilët i duan qytetarët e tyre. E kur organet shëndetësore evropiane të jepnin një leje të sigurt, të rifillonte vaksinimin. Nuk ka nevojë për këto kërcënime të mëdha, klimë represioni që shoqëron edhe drejtuesit e institucioneve arsimore, që janë shfaqur në video pafund, si militantë partiakë edhe në shkollat më elitare të Shqipërisë. Të udhëhiqesh nga një njeri dis’human, shkollë pak, që i urren njerëzit e ditur se i vënë në dukje padijen e tij, krijon atë që është gremina e të ardhmes së brezave të tërë dhe fakti i 65% i analfabetizmit funksional është damka përfundimtare e shkatërrimit 8-vjeçar që ka ndodhur në arsim. ‘’- tha Vasili.

DEKLARATA NGA PETRIT VASILI

Të nderuar qytetarë dhe qytetare!

Për fat të keq ju e keni hapur ditën sot me një batërdi mashtrimesh, siç është në mënyrën e tij të të folurit të Edi Ramës lidhur me arsimin. Asnjë surprizë nuk ka për një njeri edhe të paditur, edhe që urren arsimin e vërtetë. Dhe përkundrejt të gjitha përrallave që dëgjuat, le t’u referohemi fakteve dhe të vërtetave, të cilat ju i prekni me dorë në mënyrë të përditshme e që sigurisht përjashtojnë çdo lloj mashtrimi, çdo lloj katastrofe, për të pritur vite të tjera, për të përfunduar në greminën ku është nisur të përfundojë arsimi shqiptar.

Asnjë nuk ka harruar se ku përfundoi i famshmi pretendim, propozim, premtim i madh për 5% e arsimit të lartë. Të gjithë qytetarët e prekin me duar, sesi ky njeri do çlironte shkollat nga turnet, por shkollat vazhdojnë të jenë me turne dhe ku orët e mësimit janë katandisur në 30 minuta. Ju e kuptoni se çfarë do të thotë kjo për dijen e këtyre fëmijëve që shkollohen në këtë mënyrë. Nuk jemi duke qëndruar më për klasa dixhitale, të cilat nuk ekzistojnë dhe praktikisht po rrënojnë për një kohë shumë të gjatë, përfshirë këtu edhe pandeminë, kualitetin e arsimit në Shqipëri.

Ndërkohë që suksesi madhor në thonjëza është ashtu sikur vetë Banka Botërore pohon me gojën plot, që në Shqipëri niveli i analfabetizmit funksional është në masën 65%. Dhe ju dëgjoni sesi paturpësisht Edi Rama flet për suksese në arsim. Ju e dini shumë mirë se çka ndodhur me aksesin për të mësuar në mënyrë dixhitale. Vetë Banka Botërore thotë: 56,7% e studentëve dhe fëmijëve që studiojnë në cikle të tjera të mësimit, nuk kanë akses për internet. Si do ta marrin këtë mësim dixhital, kur nuk kanë mundësi të kenë akses në internet? Pra kjo rrëzon të gjithë këtë ngrehinë gënjeshtrash në mënyrë të menjëhershme.

Për të mos vazhduar pastaj më tej, tek kurrikula eksperimentale, e cila nuk është firmosur sot e kësaj dite as nga ministrat e këtij, që janë sejmenë të tij, të këtyre ministrave ambulantë, që në emër të suksesit kanë ndryshuar njëri tjetrin, për t’i lënë në dorë pataten e nxehtë të dështimit njëri pas tjetrit, e për t’ua lënë këtë patate të nxehtë të gjithë shqiptarëve në dorë. Çfarë ka ndodhur? Kjo kurrikul që nuk është firmosur akoma i ka kthyer mësuesit në shkresaxhinj dhe jo njerëz që kujdesen për dijen e fëmijëve, duke humbur kontaktin mësues nxënës dhe duke e kthyer mësimdhënien vërtetë në një dramë, ku humbasin edhe elementët e edukimit didaktik, por edhe të edukimit shoqëror, aq jetike nga kontakti mësues-nxënës.

Treguesi i dijeve është në një rënie në pikiatë, pra do të thotë një komb që rrëshqet drejt injorancës dhe jo drejt dijes. Ndërkohë që sfidat janë krejt të ndryshme për një Shqipëri që synon të shkojë në Europë, e duhet të jenë gjithmonë e më të larta pritshmëritë. Niveli i teksteve eksperimentale të marra, është pikërisht i atyre teksteve që janë në mungesë të plotë të teksteve kombëtare, që edukojnë me vlera dhe me frymën kombëtare. Pra tekste që nuk kanë të bëjnë hiç me ambientin shqiptar, me traditën, me historinë e këtij vendi dhe që rrisin një injorancë të frikshme për atë pse jemi shqiptarë e çfarë duhet të dinë këta fëmijë për sa i takon vendit të tyre e për mënyrën sesi formohen jashtë dijes e traditës së formimit këtij kombi duke prodhuar sërish analfabetë funksionalë të tjerë.

Vijmë te një tragjedi e vërtetë që është universiteti. Ju e dini më së miri se çfarë ka ndodhur me universitetin. Gjendja është e mjerueshme. Nuk ka nevojë që t’ua rideklaroj unë. Ja këtu afër janë universitetet. Nuk flas më për gjendjen e laboratorëve të tyre aty ku do formohen këta studentë. Këto janë në sytë tuaj. Unë vetëm ua rikujtoj të nderuar qytetarë. Dhe fëmijët tuaj që jetojnë në universitete ua thonë përditë në familjet tuaja. Situata ekonomike, njëra më e rëndë së tjetra. Mjaft të rinj të talentuar nga familje të thjeshta shkollën e kanë një mollë të ndaluar sepse nuk kanë të holla, nuk kanë para. Nuk kanë kush t’i mbajë. Prindërit e tyre kanë humbur punën për shkak të ekonomisë së këtij krimineli të popullit shqiptar. Kështu që ky arsim është një mollë e ndaluar. Është sigurisht për ata që janë klientët e tij e që kanë mundësi që ta bëjnë këtë shkollë të lartë.

Gjithashtu ju dini dhe një tregues tjetër. Mjaft universitete në rrethet e vendit janë mbyllur është fakt publik. Mjaft degë të mësuesisë janë mbyllur, pra të mësimdhënies, për të siguruar gjeneratën e mësuesve të rinj. Janë degë që kanë pasur dhe kanë një rëndësi strategjike për rajonet në të cilat ndodhen, pasi rrezikohet të mos ketë më mësues. Pra e ardhmja e arsimit është pikërisht në pragun e një gremine të jashtëzakonshme që na shtyn vetëm drejt injorancës. Gjithashtu në këto kohë të rënda pandemie të gjithë e dinë më së miri që Edi Rama nuk vendosi asgjë, nuk vendosi paga të dedikuara për mësuesit, sepse punojnë në kushte të vështira. Kanë punuar dhe 12 orë duke u shfrytëzuar në mënyrë ç’njerëzore e duke mos u dhënë djersën e tyre dhe për sa i takon pandemisë ju e dini që ky për shkak të vendimeve të tij ç’njerëzore nuk bëri testimin masiv të gjithë mësuesve të Shqipërisë, atëherë kur duhej në kohën e duhur dhe shumë prej tyre u infektuan. Kanë humbur dhe jetën.

Ndërkohë sot u ofrohet të vaksinohen më një vaksinë të një kompanie të mirënjohur evropiane, por e cila ka krijuar disa dyshime. Dhe ndërkohë që e gjithë Europa, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali, Portugali, Danimarkë, Norvegji, qytetarë si ne e kanë pezulluar këtë vaksinë për të pritur verifikimet e mëtejshme për të qenë të sigurt. Ndërsa në Shqipëri u bëhet presion mësuesve që ta bëjnë me pa derman pa i pasur këto siguri duke e shndërruar këtë në një vaksinimin elektoral. Edhe këtë kishin mangut mësuesit?

Një kryeministër human, i mençur që i do njerëzit, nuk i urren ata, më e pakta të merrte masën e pezullimit siç kanë bërë miliona europianë të tjerë, të cilët i duan qytetarët e tyre. E kur organet shëndetësore evropiane të jepnin një leje të sigurt, të rifillonte vaksinimin. Nuk ka nevojë për këto kërcënime të mëdha, klimë represioni që shoqëron edhe drejtuesit e institucioneve arsimore, që janë shfaqur në video pafund, si militantë partiakë edhe në shkollat më elitare të Shqipërisë. Të udhëhiqesh nga një njeri dis’human, shkollë pak, që i urren njerëzit e ditur se i vënë në dukje padijen e tij, krijon atë që është gremina e të ardhmes së brezave të tërë dhe fakti i 65% i analfabetizmit funksional është damka përfundimtare e shkatërrimit 8-vjeçar që ka ndodhur në arsim.

25 prilli është momenti për të bërë të paktën gjënë e parë, ta ndalim këtë shkatërrim, e për të rifilluar pastaj të vëmë në vend një nga një të gjithë ato rrënime, që i ka bërë kjo dorë mizore arsimit shqiptar. Jemi optimist, jemi shumë të qartë se si e nxjerrim arsimin nga ky qorrsokak i tmerrshëm, që arsimi nuk e kishte provuar asnjëherë, as në ditët e diktaturës. Kjo ditë, mundësi vjen në 25 prill, ku njerëz të dijes kanë të qartë rrugën si ecet përpara. Ky faj i Edi Ramës që zhyti shqiptarët në injorancë, në shekullin e 21, në vitin 2021 është një faj që nuk do të shpëlahet kurrë, pasi dëmi i bërë do ta ndjekë për breza.

Exit mobile version