Shendeti

Shqipëria përmbytet nga vaksinat, shtohen edhe 8190 doza. Rama zbret në Rinas: Moisiun e vaksinuam se i fillon emri me “A”

Published

on

Fiks në orën 19:30 të mbrëmjes së sotme, kryeministri ynë Edi Rama, ministrja Manastirliu, si edhe ministri më pasanik i kabinetit, që mbulon të gjitha fatkeqësitë shqiptare, Arben Ahmetaj, mbërritën në Rinas dhe si zakonisht, u ulën menjëherë në konferencë shtypi.

Për gati një orë, Edi Rama, mbajti për gazetarët, një leksion të gjerë dhe të gjatë mbi vaksinat, gjeopolitikën, tregun, kërkesë-ofertën, Ilir Metën, Evropën, Alfred Moisiun, për shtetet mike të panjohura që do të ndihmojnë Shqipërinë, etj, etj.

Të gjithë këtë rezyme një orëshe, Edi Rama dhe ekipi i tij e bënë duke pritur avionin me vaksina, që po sillte në aeroportin “Nënë Tereza” të Çetit tonë, plot 8190 doza vaksinash, të vlefshme për 4095 njerëz, 95 prej të cilëve me siguri do të vaksinohen si personalitete.

– Ç’sjell minuti, nuk sjell viti, – tha Edi Rama në konferencëNe do të fillojmë nga lart-poshtë, por po të kishim më shumë vaksina, do të fillonim nga poshtë-lart, domethënë nga mosha fiks 65, do të ngjiteshim lart. Tani, meqë nuk ka vaksina, jemi të detyruar të fillojmë nga lart-poshtë dhe do të zbresim, zbresim, zbresim… E filluam me Moisiun, sepse i fillon emri me “A”.

Një pyetje shumë e rëndësishme i’u bë kryeministrit Rama, për vaksinën e Kinës dhe të Rusisë.

Faleminderit për pyetjen, – tha ai.  Vaksina kineze rezulton shumë e mirë edhe vaksina ruse pozitive, por këto vaksina nuk janë në tezga, që të vemë ti marrim ne. Edhe ata që kanë lidhur marrëveshje nuk i kanë marrë. Nuk e rregullojmë dot ne punën e vaksinës!
Është fatalitet europian, që Maqedonia ka kthyer kokën nga Kina dhe Rusia. Po kështu edhe Kosova! Vetëm ne, siç e shikoni me Pfizer, jemi në bisedime edhe me tre shtete. Pas 15 ditësh unë do të shkoj për vizitë tek i parë. 
Ne i bëmë të gjitha lëvizjet për të siguruar vaksinën. Vaksina nuk është çështje parash, as çështje ekonomie, është punë tregu, nuk ka treg. Duhet angazhim i gjithëanshëm dhe këmbëngulje e tmerrshme. Nuk është çështje fondesh. Duhet të gjejmë diçka që nuk e ka askush…

Në fund të të gjithë konferencës së Edi Ramës, gazetarja e Carlo Bolinos, të televizionit Report Tv, bëri pyetjen e madhe: “A mendoni se duhet të ashpërsohen masat kundër politikanëve që shkelin rregullat e pandemisë?”.

Po, e kemi bërë këtë punë dhe rregullat këtu i shkelin ata që hapin lokalet, por ç’ti bësh?! Kur mendon që presidenti, babai i familjes, garanti i gjithëçkaje, është i pari që jep shembullin katastrofik…

Këtu Edi Rama e ndërpreu konferencën, sepse u dëgjua nga larg zhurma e avionit, që po zbriste në aeroportin “Nënë Tereza” të Çetit tonë, vaksinat që do të përmbytin Shqipërinë.

/TPZ.al/

Exit mobile version