Aktualitet

Strazimiri: Është koha të lëmë mënjanë “Robert Çamçakëzin”

Published

on

“Shqiptarët të bashkuar pa dallim për të shpëtuar vendin nga një e keqe e madhe”. Kështu u shpreh në studion e “Ditarit” në A2 CNN kandidati demokrat për qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 25 prillit, Gent Strazimiri. Ai shprehu bindjen se Partia Demokratike do të fitojë këto zgjedhje, duke thyer madje edhe rekordin e vitit 1992, ndërsa shtoi se synon 21 mandate në kryeqytet.

“Është bashkimi më i madh i shqiptarëve pas vitit 1992, që do të thyejë rekordin e 1992. Do jetë një reagim shoqëror i një shoqërie demokratike për ta dekusarizuar dhe dekriminalizuar administratën e këtij vendi. Nga të gjithë dëgjon të njëjtat fjalë dhe vendim për t’u ngritur në këmbë, për të shpëtuar familjen e biznesin nga një arbitraritet dhe bandë që nuk ka qenë kurrë më parë. Në të gjitha llojet e dialekteve thonë; Rama ik! PD po punon për 21 mandate në kryeqytet”.

Ai tha se PD është e vetmja mundësi për të shpëtuar vendin dhe për ta nxjerrë atë nga kriza. Sipas Strazimirit, edhe 200 komunistët që themeluan Partinë Komuniste, po të ishin ende gjallë do të votonin PD-në.

“E rëndësishme është që PD të votohet masivisht se është vetmja mundësi për të nxjerrë vendin nga kriza dhe për një Shqipëri normale. Kam marrë flukse miqsh e shokësh, konsiderata e gjithësecilit prej tyre për të fituar këtë betejë është një gjë e çmuar për mua dhe nuk e kisha menduar që do vinte një ditë e tillë veçanërisht me ata zgjedhës dhe militantë të zhgënjyer. Gjithçka tashmë është e qartë. Unë jam i bindur se sikur të ishin gjallë 200 komunistët e parë edhe ata do votonin numrin 9”.

Garancinë për mbrojtjen e votës, Strazimiri e sheh te shqiptarët që takon çdo ditë dhe te dëshira e tyre për ndryshim, por edhe tek administrimi zgjedhor që sipas tij nuk ka deformime të forta. Ai thotë se 1 milion shuplakat që Rama tha në 2013-n, do t’i kthehen në 1 milionë shkelma.

“Cilido që pretendon të prekë vullnetin e shqiptarëve i shton sikletin vetes dhe nuk përfiton gjë. Administrimi zgjedhor ka kohë që nuk paraqet simptoma të forta të deformimit. Besoj se çdo shqiptar është i garantuar në votën e tij. Garancia e shqiptarëve që e përjetoj çdo ditë në shtrëngimin e duarve të tyre edhe atyre që në 30 vjet kanë bërë grushtin dhe sot bëjnë dy gishtat është garancia e vetme që nuk do guxojë njeri ta prekë procesin zgjedhor. Ne jemi gardianë të kësaj dëshire për ndryshim. Unë mendoj se asgjë më shumë se 1milion shkelma të kthyer mbrapsht nga ato që ai i quajti shuplakat në 2013”.

Sa i takon ftesës së Ramës për bashkëpunim, Strazimiri u shpreh se ilaçi nuk është bashkëpunimi me të keqen. Sipas tij, Rama kërkon të kapë ndonjë copë nga pushteti i nesërm, por siguron se pushteti i demokratëve do të jetë i popullit dhe jo i oligarkëve.

“Kam pasur shumë pak kohë të dëgjoj gallatat e kryeministrit të vendit më të varfër të botës. Është koha të lëmë mënjanë “Robert Çamçakëzin”, duhet të lëmë mënjanë të keqen. Ilaçi nuk është bashkëpunimi me të keqen. Shqiptarët e kanë kuptuar. Kryeministri mendon se mund të kapë ndonjë copë te pushteti i nesërm që po vjen. Nuk do të jetë më pushteti i oligarkëve, por i popullit”.

Ai thotë se edhe në 2017-n, PD nuk bashkëpunoi me Ramën, por dëgjuam ndërkombëtarët, pavarësisht se nuk prisnin asgjë të re.

“Në 2017 nuk patëm bashkëpunim, por garanci të faktorit ndërkombëtar për të marrë pjesë në procesin që ne thjesht i bëmë qokën faktorit ndërkombëtar dhe e dinim që nuk do kishte asgjë të re”.

Exit mobile version