Politike

Tabaku: Shqiptarët kanë 7 vjet që ndiejnë në lëkurë dështimin e qeverisjes së Ramës

Published

on

Përmes një deklarate nga selia blu, ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku , është shprehur sot në lidhje me qeverinë Rama, duke cilësuar korrupsionin si një nga dështimet më të mëdha të saj.

Deklarata e Tabakut:

 

“Një nga dështimet më të mëdha të tij lidhet me korrupsionin. Ky virus ka prekur çdo qelizë të qeverisë, çdo ind të pushtetit, që nga dita e parë në pushtet.

Korrupsioni qeveritar, shkaktar për rrënimin e përditshëm të ekonomisë së çdo familje shqiptare, ka marrë përmasa shqetësuese ndërkombëtare.

Organizata e specializuar për këtë çështje, Transparency International ngre alarmin se gjatë qeverisjes së Edi Ramës në këto 7 vjet është ngritur një sistem korruptiv, që mund të konsiderohet si kapje e shtetit!

Transparency International tregon se korrupsioni ëshët rritur si rezultat i vullnetit politik të Ramës, që ka shkatërruar ekonominë, ka rritur kostot e jetesës dhe na mban peng tek oligarkët dhe larg Bashimit Europian.

Analiza e detajuar e Transparency International del në të njëjtin përfundim si opozita dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve, se qeveria shqiptare është thjesht zëdhënësja e oligarkëve, klinetëve dhe e krimit.

“Sundimi i ligjit është i minuar vazhdimisht. Motivimi kryesor është kapja e shtetit për përfitime private. Kjo çon në shpërdorim të gjerë të detyrës publike “– thuhet në raport.

Dy janë elementët kryesorë për Shqipërinë: mosndëshkimi për korrupsionin e nivelit të lartë dhe ligjet e bëra sipas dëshirës. Ligjet preferenciale si ai i Koporatës së Investimeve, ligji special për teatrin, ligjet që ulin taksa për sektorë si minierat, ndërkohë rrisin taksat për 97% të bizneseve janë qartazi shembuj të kapjes së shtetit.

Ligji i Lojrave të Fatit që kjo mazhorancë e mbrojti dhe promovoi ishte një qokë për bizneset e lojrave të fatit pranë qeverisë. Një ligj që nuk ndihmon rregullimin por avantazhon padrejtësisht këto grupe.

Siç pohohet edhe nga organizatat ndërkombëtare, ky është ligj që ka favorizuar pastrimin e parave në Shqipëri.

Kompanitë e lojrave të fatit të preferuara nga qeveria kanë ndikuar e lobuar që ky ligj të kalojë duke pasur përfitime direkte me rritje deri ne 68%, të cilat kanë ndikuar njëkohësisht që këto biznese të jenë të angazhuar dhe në pastrimin e parave.

Ndërsa vendi është zhytur në krizën e thelluar edhe nga pandemia, qeveria Rama dhe parlamenti shndërruar në nje noter që vulos kërkesat e oligarkëve, aprovuan lehtësisht dhe në kundështi me çdo parim kontratën për rrugën Milot-Balldren.

Raporti flet për ofertat e pakërkuara që kanë prishur tregun dhe konkurencën dhe çdo kontratë koncesionare në infrastrukturë është dhënë pa garë.

Kontrata e rrugës Milot – Balldren, e denoncuar nga opozita, përmendet specifikisht sepse kostot janë dyfish të larta, shkon deri në 300 milionë euro duke e bërë koston për km rreth 20 milionë euro. Kompania që ka fituar këtë tender, ANK zotërohet nga një ish deputet e i PS dhe vellai i tij Agim dhe Ndue Kola.

Një kontratë kriminale në kurriz ta taksave të shqiptarëve që nuk është e vetmja.

Në 8 vite qeverisje Edi Rama ka rritur taksat por krimi më i madh karshi shqiptarëve është taksa e korrupsionit. Ky është dështimi më flagrant i Edi Ramës.

Ai ka vrarë shpirtin e sipërmarrjes në vend duke votuar ligje në favor vetëm të disa bizneseve. Ligje të shkruara posaçërisht, siç raporti Transparency International nënvizoi, për t’i shërbyer një pakice fare të vogël që prej 7 vjetësh sundon jetën dhe zotëron taksat e shqiptarëve.

Korrupsioni gjatë qeverisë së Edi Ramës është një nga dështimet e mëdha të tij. Për 7 vjet me radhë, ky korrupsion në çdo qelizë të qeverisjes bëri që ekonomia të përkeqësohet, rriti koston e jetësës dhe na mban larg integrimit në Bashkimin Europian.

Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje përfundimtare. Shqipëria ka nevojë për një qeverisje në shërbim të qytetarëve. Për ligje që janë në favor të tyre dhe jo oligarkisë. Shqipëria ka nevojë për ndershmëri. Për një betejë të hapur dhe të pakompromistë ndaj virusit Rama. Boll më! Është koha për ndryshim”, tha ajo.

Exit mobile version