Uncategorized

Thoni ndal urrejtjes fetare ndër shqiptarët! Nga Enver Bytyçi

Published

on

Prej shumë kohësh ka një debat idiot me kundërshti religjioze, si në Kosovë, edhe në Shqipëri. Në vend që të vemë vetullat, me këtë debat duket se ne shqiptarët po nxjerrim sytë. Anatemimet, ofezat, etiketimet, akuzat, janë shndërruar në një trend diskutimi sidomos në rrjetet sociale, por dhe në debate televizive. Vlerësoj se debati për çeshtje të ndryshme dhe ato religjioze është i dobishëm dhe e shëndosh një shoqëri, gjithnjë kur zhvillohet bazuar në fenomene konkrete, të cilat e dëmtojnë shoqërinë.
Por çfarë ve re në debatin religjioz të kohëve të sotme?
1. Ky lloj debati i egër, mesa kam lexuar për historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve, nuk ka ekzistuar në asnjë kohë më parë. Gjakrat janë nxeh në atë masë, sa duket sikur dita-ditës do shpërthejë ndonjë murtajë, si ato që kanë kaluar vende të tjera ku kanë bashkëjetuar disa religjione. Ofezat dhe mallkimet gjithnjë e më shumë po përfshijnë komunitete të tëra dhe jo vetëm individë të caktuar. Kjo është e rrezikshme për harmoninë dhe ekuilibrin fetar, social dhe kombëtar. Të gjithë ata që shiten “më katolik se Papa”, duke sulmuar me urrejtje njërin ose tjetrin religjon, i kontribuojnë prishjes së këtij ekuilibri. Kjo do të thotë urrejtje, dasi, përçarje dhe më në fund, mos e dhashtë Zoti, edhe konflikt.
2. Në debat janë përfshirë dhe disa “mendje të ndritura” të publicistikës, por fatmirësisht ende nuk kemi ndonjë përpjekje të politikës për t’i trazuar ujërat e përçarjes. Këto mendje të shkolluara, nën petkun e një farë statusi të personit publik, po përpiqen të hedhin benzinë në zjarrin e urrjetjes fetare e kombëtare në Shqipëri dhe po realizojnë një mision shkatërrues për vendin. Opinionistë të tillë kanë shkuar deri aty sa të marrin përsipër të numërojnë një për një se kush në këtë vend qenka kristian e kush musliman?! Diabolizmi mediatik i këtij vendi nuk njeh asnjë kufi. Në vend që këto mendje të bëjnë studime, ekspertiza, anketime të opinionit, me qëllim shëndoshjen e shoqërisë, ushqejnë urrejtjen e injorantëve, duke ndikuar negativisht në atmosferën kritike të situatës që është krijuar.
3. Në komunitetin musliman ndonjë eksponent po shfaq qëndrime ekstreme fetare, deri në kufijtë e identifikimit kombëtar me identifikimin fetar. Nëse kjo ndodh me religjionet në Shqipëri, atëherë të gjithë shqiptarët do të duhej të mos ishin shqiptarë, por një pjesë turq a arabë, sipas ndikimit fetar islamik, disa grekë, serbë a rus, sipas ndikimit të fesë ortodoksë, të tjerët italianë, austriakë, kroatë, gjermanë a spanjollë, s’ka rëndësi, por shqiptarë jo. Ky lloj paradoksi nuk ishte parë ndonjëhherë më parë. Dhe e gjitha kjo po vjen si rezultat i një debati publik përgjithësues e jo për çeshtje të veçanta të luftës kundër ekstremizmit fetar.
Nga kjo panoramë pesimiste e zhvillimeve në këtë aspekt, duket se dikush kërkon jo vetëm nxitjen e ekstremizmit fetar, veçanërisht atij islamik në vendin tonë e te shqiptarët, por edhe luftën midis shqiptarëve. Kjo është mënyra më perfekte për qarqet antishqiptare, me qëllim ndaljen e proceseve të zhvillimit të kombit shqiptar në të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan.

Exit mobile version