Aktualitet

Tkurret sektori i arsimit, 26 mijë nxënës e studentë më pak për vitin akademik 2020-2021

Published

on

Sektori i arsimit po tkurret me shpejtësi. Shifrat e fundit tregojnë se për vitin shkollor aktual 2020-2021 në arsimin parauniversitar janë regjistruar 584,616 nxënës, me një tkurrje 4.6 për qind ( 26 mijë) më pak se në vitin shkollor 2019-2020.

Sipas niveleve arsimore, struktura e pjesëmarrjes në arsimin zyrtar është pothuajse e njëjtë, gjatë tre viteve të fundit shkollor/akademik.
Arsimi Parauniversitar, tkurrja 4.4%

Në vitin shkollor 2020-21, u regjistruan në arsimin parauniversitar 460.819 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 4,4 %, krahasuar me vitin shkollor 2019-20.

Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti shkollor marrin pjesë gjithsej 71.332 fëmijë, 8,4 % më pak, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 286.486 nxënës, 55,3 % në arsimin fillor dhe 44,7 % në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin shkollor 2019-20, marrin pjesë në arsimin 9-vjeçar 2,8 % më pak nxënës.

Në vitin shkollor 2020-21, 91,4 % e nxënësve të arsimit 9 vjeçar u regjistruan në institucionet e arsimit publik dhe 8,6 % në institucionet e arsimit privat. Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9 vjeçar, vajzat përbëjnë 47,5 % të totalit.

Në vitin shkollor 2020-21, u regjistruan në arsimin e mesëm 103.001 nxënës, duke shënuar një ulje prej 6,0 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në vitin 2020-21, pjesën më të madhe të nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm e përbëjnë nxënësit e gjimnazit dhe të arsimit të mesëm social-kulturor prej 81,5 %. Ky proporcion ka mbetur pothuaj në të njëjtin nivel përgjatë tre viteve të fundit.

Pjesa më e madhe e nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm ndjek arsimin në institucionet arsimore publike (86,5 %).

Në vitin shkollor 2020-21, numri i mësuesve në arsimin 9 vjeçar është 24.443, ndër të cilët 75,8 % janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 16,6 dhe në atë privat është 13,9. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9 vjeçar, raporti nxënës për një mësues në publik është 8,9 dhe në atë privat 7,2.

Numri i mësuesve në arsimin e mesëm është 8.584 prej të cilëve 68,4 % janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm është 12,7 në arsimin publik dhe 8,9 në atë privat.

Bie me 5% regjistrimi i studentëve

Në vitin akademik 2020-21, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 123.797 studentë, duke shënuar një ulje prej 5,0 %, krahasuar me 2019-20. Studentët që marrin pjesë në arsimin e lartë publik, përbëjnë 78,7 % të numrit total të studentëve.

Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2020-21, marrin pjesë 74.821 studente femra, ose 60,4 % e numrit të përgjithshëm të studentëve në arsimin e lartë.

Në programet bachelor, për të njëjtën periudhë, morën pjesë 74.382 studentë duke shënuar një ulje prej 10,0 %, krahasuar me 2019-20.
Në vitin akademik 2020-21, studentët duket se preferojnë fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit gjithsej të studentëve.

Ndërsa fusha më pak e preferuar është “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” ku janë të regjistruar vetëm 2,8 % e numrit gjithsej të studentëve.

Ulja e numrit të përgjithshëm të studentëve që ndjekin arsimin e lartë është më e theksuar në fushat “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë” me 17,4 % dhe “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” me 16,8 %. Nga ana tjetër, të dhënat paraqesin rritje të numrit të studentëve në fushën “Shëndet dhe mirëqenie” me 4,9 %./Monitor

Exit mobile version