
Në 24 orët e fundit në Itali janë shënuar 10176 raste të reja me COVID-19 nga 338436 testime dhe 224 viktima.
Krahasuar me të premten numri i infektimeve ka pësuar një ulje, pasi dje ishin 10554 raste, por në 24 orët e kaluara kishte më pak testime, 328612, ndërsa sot më shumë tamponë.
Shkalla e pozitivitetit u ul 3%, nga 3.2% një ditë më parë. Por numri i viktimave sot u rrit krahasuar me dje, pasi të premten ishin 207, ndërsa sot 224 fatalitete. 17394 qytetarë u raportuan të shëruar.
Autoritetet italiane raportojnë se sot janë injektuar 506877 doza të vaksinave kundër Covid. Popullsia e vaksinuar u rrit kështu në 11.42%, me 26.82% që kanë marrë të paktën një dozë.
Javën e fundit, janë injektuar mesatarisht 457000 doza në ditë dhe me këtë ritëm, po sipas autoriteteve italiane imuniteti i tufës, 70% e popullsisë me të paktën një dozë do të arrihet më 30 korrik.