Aktualitet

Vendi sërish në karantinë?! Rama e thotë prerë: Shëndeti është mbi zgjedhjet dhe mbi gjithçka, por…!

Published

on

Gjatë ceremonisë së pritjes së dozave të reja të vaksinës Pfizer në Rinas, kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët se pse nuk e mbyll sërish vendin, teksa shifrat e koronavirusit janë rritur ndjeshëm, dhe nëse kjo ka lidhje me zgjedhjet e 25 prillit.

Në përgjigjen e tij, kryeministri Rama u shpreh se shëndeti është mbi zgjedhjet dhe mbi gjithçka tjetër, por sipas tij, në kushtet që jemi sot për sot, nuk kemi nevojë të karantinohemi.

Kreu i qeverisë deklaroi se një karantinë e dytë do të ndikonte negativisht në shëndetin psiqik të njerëzve, ndaj është e rëndësishme që të vijohet me këto masa kufizuese.

“Shëndeti është mbi zgjedhjet dhe mbi gjithçka tjetër, por ne besojmë që në kushtet që jemi sot për sot, nëse mbajmë këtë ekuilibër nuk kemi nevojë të karantinohemi, për 1001 arsye, që i kam dëgjuar me shumë vëmendje edhe nga ekspertët tanë, edhe nga të tjerë, me të cilët komunikoj për të mësuar. Gjithnjë e më shumë po fiton terren shqetësimi i një tjetër pandemie, që është pandemia psiqike. Që do të thotë, i efekteve traumatike të gjithë kësaj kohe dhe të gjithë këtyre shtrëngimeve, ndryshimeve, shqetësimeve, te psiqika e kësaj dynjaje. E treta, do të keni parasysh edhe një gjë tjetër, kur një vend i BE mbyllet, ka një ‘kontro’ evropiane që përgjigjet. Është kollaj të themi hajt ta mbyllim, por pse duhet ta mbyllim. Nëse numrat qëndrojnë në ekuilibër brenda parashikueshmërisë dhe nëse spitalet vazhdojnë shërbejnë brenda skenarëve të parashikuar, atëherë jeta duhet të vazhdojë me ato masa kufizuese që kemi përcaktuar, në mënyrë që njerëzit të marrin frymë, fëmijët të vazhdojnë të shkojnë në shkollë, të rinjtë po ashtu.

 

 

Prandaj, arsyetimi i ekspertëve tanë është tërësor, jo thjesht një arsyetim mekanik, që hajde ta mbyllim. Nëse njerëzit nuk do të kufizohen, nuk do vënë maskën kur dalin nga shtëpia, nuk do respektojnë ato rregulla minimale, patjetër që ora policore do shkojë duke u ulur dhe kufizimi duke u rritur. Larg qoftë të bëjmë një karantimin të dytë, edhe sikur të jetë ditë votimi. Ky nuk është plan i fshehtë për kutitë e votimit, por po shohim dinamikën hap pas hapi. Dinamika sot na thotë që jemi në ekuilibër. Nuk mund të jetë ilaçi më i dëmshëm, se sëmundja vetë. Ne na duhet që t’i krijojmë njerëzve mundësi që të shkojnë në punë, të marrin frymë, të dalin, të marrin ajër. Studimet e fundit janë alarmante sa i përket efekteve psikologjike të kësaj dynjaje nga e gjithë kjo histori kufizimesh dhe traumash të dukshme e të padukshme”, u shpreh Rama.

Exit mobile version