Aktualitet

Vendimi/ Italia e bën të detyrueshme pasaportën shëndetësore për mësuesit, nuk mund të punojnë pa dokumentin

Published

on

Qeveria italiane ka njoftuar se mësuesit duhet të kenë dëshmi të vaksinimit kundër koronavirusit, para se të hyjnë në klasë.

Ndërkohë, Pasaporta e Gjelbër e vaksinimit është bërë e detyrueshme edhe për udhëtarët në trena, aeroplanë, si dhe nëpër dyqane.

Kjo Pasaportë, qoftë digjitale, apo e printuar, tregon nëse një person ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, ka test negativ në koronavirus apo është shëruar së fundmi nga infektimi.

Me qëllim të rritjes së shkallës së vaksinimit, për të luftuar variantin Delta të koronavirusit, Qeveria italiane ka thënë se Pasaporta e Gjelbër do të kërkohet nëpër ambiente të brendshme të restoranteve, si dhe për një mori aktivitetesh tjera.

Pavarësisht protestave dhe pakënaqësive tjera, Qeveria italiane ka zgjeruar kërkesën për pajisje me këtë Pasaportë edhe për mësuesit, studentët universitarë dhe udhëtarët në distanca të gjata, nga 1 shtatori.

“Zgjidhja e Qeverisë është që të investojë sa më shumë që mundet në Pasaportën e Gjelbër dhe të shmangë mbylljen”, ka thënë ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

Mësuesit nuk do të mund të punojnë pa këtë dokument dhe pushimi më i gjatë se pesë ditë nuk do t’iu paguhet.

Deri më 4 gusht, rreth 65 për qind e italianëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, derisa 54 për qind janë të imunizuar plotësisht.

Italia është duke ndjekur hapat e Francës, e cila është kthyer në shtetin e parë evropian që ka kërkuar vaksinim për qasje në një mori ambientesh.

Ky vendim i presidentit francez, Emmanuel Macron ka nxitur protesta më të mëdha sesa ato që janë parë në Itali.

Kundërshtarët e këtyre masave kanë thënë se ato janë në kundërshtim me liritë njerëzore, diskriminojnë të pavaksinuarit dhe përbuzin rregullat e Bashkimit Evropian.

Gjykata Kushtetuese në Francë ka thënë më 5 gusht se pasaporta shëndetësore nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. /Rel/

Exit mobile version