Connect with us

Aktualitet

Zëri i Amerikës: SPAK këmbëngul për procesin ndaj Mediut, ankimon vendimin e Gjykatës

Published

on

Në Shqipëri Prokuroria Posaçme e Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar ankimoi sot vendimin e Gjykatës së posaçme të Shkallës së parë e cila nuk pranoi kërkesën për rihapjen e procesit gjyqësor ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, lidhur me shpërthimin e ndodhur 13 vite me parë në një depo ushtarake në Gërdec.

SPAK e paralajmëroi këtë lëvizje menjëherë pas vendimit të Gjykatës, duke e cilësuar atë si “të pabazuar në ligj”.

Prokuroria e Posaçme këmbëngul se për shkak të ndryshimeve ligjore të cilat hoqën imunitetin si pengesë për ndjekjen penale të deputetëve, nuk ekziston më motivi që çoi Gjykatën e Lartë në vitin 2009, që të pushonte çështjen ndaj ish ministrit të Mbrojtjes.

Fillimisht kërkesa e SPAK u shqyrtua nga vetë Gjykata e Lartë e cila ja kaloi si kompetencë Gjykatës së posaçme të Shkallës së parë.

Kjo e fundit, më 27 Korrik shpjegoi se organi i akuzës, kishte patur mundësi që pas vendimit të Gjykatës së Lartë në vitin 2009 të kërkonte sërish autorizimin e parlamentit për ndjekjen penale të zotit Mediu, por dhe pas vitit 2012 kur pengesa e imunitetit u hoq.

Gjykata vërejti për se vepra penale për të cilën është ngritur akuzë ndaj zotit Mediu, tanimë është parashkruar, duke qenë se kanë kaluar mbi dhjetë vjet.

Ndërsa një numër i madh personash u vunë nën akuzë, për ngjarjen në të cilën humbën jetën 26 persona, mes të cilëve dhe fëmijë, ish ministri i Mbrojtjes i shpëtoi plotësisht gjykimit.

/ Zëri i Amerikës