Rajoni

Zgjedhjet/ Arrestohet kryetari i një komune me shumicë serbe

Published

on

Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha të premten se është arrestuar Bozhidar Dejanoviç, kryetar i komunës së Kllokotit, një komunë me shumicë serbe rreth 50 kilometra në juglindje të Prishtinës.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se ai u arrestua “nën dyshimin se ka kryer veprën penale “cenim i përcaktimit të lirë të votuesve” në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Atij është shqiptuar masa e arrestit prej 48 orësh, thuhet në njoftim por pa u dhënë hollësi të tjera.

Ky është arrestimi i tretë gjatë kësaj jave lidhur me pretendimet e ngritura nga parti e kandidatë partish politike për keqpërdorim votash.

Të mërkurën Prokuroria e Posaçme Kosovës, tha se ka ndaluar dy persona nën dyshimet se kanë kryer veprat penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” dhe “dhënie apo marrje e ryshfetit në lidhje me votimin”.

Ndalimi i tyre ndodh një ditë pasi që ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, dha dorëheqje nga ky post si dhe nga të gjitha funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pas pretendimeve të ngritura rreth keqpërdorimeve të votave brenda radhëve të kësaj partie.

Sot Gjykate e Lartë e Kosovës shpalli vendimin për refuzimin e ankesave të partive e kandidatëve të tyre, që kryesisht lidhen me pretendimet për keqpërdorim votash gjatë procesit të numërimit të tyre.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa anuloi të hënën të gjitha votat për subjektet politike të komunitetit boshnjak, që janë hedhur në komunat me shumicë serbe në Kosovë, pas një ankese të partive të komuniteteve joserbe, sipas të cilave partia boshnjake “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq” dhe partia “Iniciativa Rome”, kanë siguruar vende në parlament me ndihmën e Listës Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës e cila mbështetet nga Beogradi.

Gjykata e Lartë hodhi poshtë ankesën e zonjës Hoxhiç, si dhe ankesat e tjera, duke i hapur rrugën certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, që duhet të pasohet me fillimin e ngritjes së institucioneve të reja. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet të shtunën për certifikimin e tyre.

Lëvizja Vetëvendosje e cila arriti një fitore të thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka ftuar për të hënën më 15 mars takime me partitë tjera politike për të diskutuar formimin e institucioneve.

Më 58 vende në parlamentin 120 vendesh, ajo nuk do të përballet me vështirësi për formimin e qeverisë, për miratimin e së cilës duhen të paktën 61 vota. Por, zgjedhja e presidentit kërkon dy të tretat e votave, përkatësisht 80 vota të deputetëve, që të paktën duhet të jenë të pranishëm në sallën e parlamentit gjatë votimit.

Lëvizja Vetëvendosje e ka kandiduar zonjën Vjosa Osmani për këtë post dhe ka nevojë për votat e partive tjera shqiptare që të kalojë. Dështimi për të zgjedhur presidentin e ri mund të çojë sërish në zgjedhje të parakohshme. Të premten, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konfirmuan se do të marrin pjesë në takim.

Ndërsa Lidhja Demokratike të dielën mban kuvendin e saj për të zgjedhur udhëheqjen e re të partisë pas dorëheqjes së kryetarit të saj Isa Mustafa dhe më pas do të vendos rreth takimit të së hënës. /Voa/

Exit mobile version