Connect with us

Politike

‘Zgjedhjet u manipuluan’, Vokshi: Qytetarët ndiqeshin dhe kërcënoheshin nga patronazhistët, të shkatërrohet kjo skemë!

Published

on

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka përgëzuar hapat përpara që vendi ka bërë në procesin e integrimit në BE, ku sipas Vokshit Shqipëria duhet të ishte pjesë prej kohësh.

Ajo u ndal në parregullsitë gjatë zgjedhjeve, që sipas deputetes janë paraqitur të zbehta në raport.

Rrjedhja e të dhënave personale, vendosja në dispozicion e parave të krimit dhe lëshimi i legalizimeve për qytetarët ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve sipas Vokshit.

“Për të shkuar përpara në BE, duhet të bëhemi bashkë, sepse është në interesin e të gjithë qytetarëve. Nëse ka nota pozitive raporti, na gëzon, sepse Shqipëria është një hap afër BE. Shqiptarët meritonin shumë më kohë para këtu ku jemi sot. Ky raport, duhet shndërruar në mënyrë emergjente në një plan pune dhe të ecet me hapa konkretë.

Ne kemi bërë shumë, duke tejkaluar dhe axhendat politike. Thënë këtë, mendoj që ne duhet t’i themi disa probleme dhe duhet t’i zgjidhim sa më parë. Dua të ndalem te kriteri më i rëndësishëm politik zgjedhjet.

E gjej pjesën e zgjedhjeve në raport të zbehtë. Vërtetë administrimi ka qenë i mirë, përshëndesim të gjithë personat që u angazhuan në mbarëvajtjen e mirë të pjesës së madhe të zgjedhjeve, por ka shumë problematika që nuk janë trajtuar në raport. Çështja është se vota a është e lirë apo jo?

Pasi nga vota e lirë apo jo e lirë një vend konsiderohet demokratik apo më pak demokratik. Vota s’ishte e lirë. Po pse? Sepse u përfshinë paratë e korrupsionit, të grupeve kriminale. U punësuan njerëz, legalizime u dhanë pafund, për të marrë votën.

Ne kishim përballë nëpunësit, vartësit e ministrave, që duke u bërë patronazhistë kërcënonin qytetarët. Çdo e dhënë personale nga AKSHI u bë publik dhe u vendos në dispozicion të partisë në pushtet.

Krimi më i rëndë elektoral, rrjedhja e të dhënave personale, ishte gjë e madhe dhe shqetësuese. Votuesit përndiqeshin dhe kërcënoheshin çdo ditë. Kërkesa ime është që duhet të shkatërrohet kjo skemë, të hetohen ata që kanë qenë të përfshirë në krimin elektoral të nxjerrjes së të dhënave personale”, tha Vokshi.